Investimet e huaja direkte u rritën përsëri në 2025, bashkë me varësinë nga pasuritë e paluajtshme
Investimet e huaja direkte në Shqipëri shënojnë rekord historik në 2025, me dominim të sektorit të pasurive të paluajtshme.
Investimet e huaja direkte në Shqipëri u rritën për të pestin vit radhazi në vitin 2025, duke arritur një rekord të ri historik prej 1.64 miliardë eurosh, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Krahasuar me një vit më parë, ato shënuan një rritje prej 3.5 për qind, ndërsa struktura e tyre vijon të dominohet nga fitimet e riinvestuara të investitorëve ekzistues.
Për vitin 2025, investimet e reja arritën në 798 milionë euro, duke u rritur me 13.5 për qind në raport me vitin 2024, ndërsa fitimet e riinvestuara zbritën lehtë në 837 milionë euro, me një rënie prej 1.9 për qind. Megjithatë, këto të fundit përbënin ende pjesën më të madhe të totalit, me mbi 51 për qind të investimeve të huaja direkte.
Rritje edhe në tremujorin e fundit
Edhe tremujori i katërt i vitit 2025 shënoi një ecuri pozitive, me investime të huaja direkte në vlerën 427 milionë euro, ose 1 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë kësaj periudhe, flukset hyrëse valutore u përqendruan kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, që zuri 37 për qind të totalit, i ndjekur nga ndërmjetësimi financiar me 17 për qind, energjetika me 9 për qind, hidrokarburet me 6 për qind dhe komunikacioni me 5 për qind.
Pesha e pasurive të paluajtshme dhe ndikimi në ekonomi
Të dhënat konfirmojnë rritjen e vazhdueshme të peshës së sektorit të pasurive të paluajtshme në strukturën e investimeve të huaja. Për gjithë vitin 2025, ky sektor solli më shumë se një të tretën e totalit të investimeve, ndërsa kërkesa nga jorezidentët ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e çmimeve, sidomos në zonat bregdetare.
Investimet e huaja direkte kanë një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, duke ndihmuar në kompensimin e deficitit të llogarisë korrente dhe në sigurimin e valutës për importet. Sipas Bankës së Shqipërisë, ato kanë qenë gjithashtu një faktor kyç në forcimin e vazhdueshëm të Lekut në kursin e këmbimit në vitet e fundit.
Euro në nivel rekord të ulët
Sipas statistikave zyrtare, Euro u këmbye mesatarisht në vitin 2025 me 97.85 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë, duke shënuar një rënie prej 2.8 për qind krahasuar me vitin 2024. Kursi mesatar Euro-Lek ka ndjekur një trend rënës që prej vitit 2013, me përjashtim të vitit 2020, kur pandemia solli luhatje të ndjeshme në treguesit ekonomikë.